Naser Lani nga “Shpia e Vjetër”: Bllokimi i punimeve në rrugën “Qamil Hoxha” na ka dëmtuar si biznese
Naser Lani, pronar i njohur i restorantit “Shpia e Vjetër” në rrugën “Qamil Hoxha”, ka shprehur mbështetjen e tij për projektin e transformimit të kësaj rruge në shesh duke theksuar se ndërhyrja ishte pritur me shumë entuziazëm nga komuniteti i bizneseve lokale.
“Ne si biznes shumëvjeçar në gastronomi e kemi pritur me shumë dëshirë idenë e kryetarit për ta shndërruar këtë rrugë në shesh. Filluan punimet sipas planit të paraparë për ta rregulluar hapësirën, por menjëherë pas pak ditësh ato u bllokuan nga Ministria. Ky bllokim, siç e shihni, na ka bllokuar shumë si biznes, jo vetëm neve personalisht, por edhe bizneset e tjera përreth”, tha Lani.
Ai shtoi se situata aktuale është bërë më e vështirë se më parë duke theksuar ndikimin e madh ekonomik që ka pasur pezullimi i punimeve.
“Këtu jemi pak metra më poshtë, në sheshin ‘Rexhep Luci’. Bisedoj shpesh me kolegët e mi dhe më tregojnë se këtu është bërë një transformim shumë i mirë i sheshit. Kështu do të dëshironim të ishte edhe tek ne”, tha ai.
Në fund, Lani shprehu shpresën që kryetari Përparim Rama të fitojë një mandat të dytë, për të vazhduar dhe përfunduar projektet e nisura në kryeqytet.
“Shpresoj shumë që kryetari Përparim Rama të fitojë në 4 vitet e ardhshme dhe të përfundojë të gjitha punët e mira në çdo pjesë të Prishtinës”, përfundoi ai. /Kosova.info/
