Burgoset një person për rrezikim të trafikut publik
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, me pasoje vdekjen.
Përmes një komunikate për medie, Gjykata Themelore e Gjakovës bën të ditur se sipas kërkesës së Prokurorisë, “më datë 02.11.2025, rreth orës 20:25 minuta, në Rahovec, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, ku nga pakujdesia në trafik ka shkaktuar rrezik jetën e njerëzve, me ç’rast nga veprimet e shkaktuar i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Rrezikimi i trafikut publik” me pasojë vdekje, të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Mizahir Shabani, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke u fshehur apo shmangur organeve të ndjekjes dhe duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se i pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 2 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 1 dhjetor 2025.
