Ramush Haradinaj: Presidentja nuk mund të mandatojë pa shumicë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me afatin kushtetues për votimin e qeverisë, duke theksuar se presidentja nuk ka të drejtë të mandatojë askënd pa prova se kandidati i propozuar e ka shumicën e nevojshme parlamentare.
“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme,” ka shkruar Haradinaj.
Ai ka sqaruar se shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve, dhe çdo veprim ndryshe do të përbënte “shkelje të rëndë kushtetuese”.
Sipas tij, “kandidatura e dytë nga VV për qeveri është vetëm përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.”
Haradinaj ka kërkuar që, siç e quan ai, “kjo farsë të marrë fund menjëherë” dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme./Kosova.info/
