Rama premton investime të reja në Bregun e Diellit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për vazhdimin e investimeve në lagjen Bregu i Diellit duke theksuar se puna në terren po zhvillohet me ritme të mira.

Sipas Ramës, aktualisht po instalohet ndriçimi publik në të gjitha zonat e lagjes, po pastrohen hapësirat e gjelbra dhe po lirohen hapësirat publike. Ai ka theksuar se Bregu i Diellit po bëhet gjithnjë e më i përshtatshëm edhe për çiklistët.

“Në Bregun e Diellit është në instalim e sipër ndriçimi në të gjitha zonat, po pastrohen hapësirat e gjelbra dhe po lirohen hapësirat publike. Kemi pjesë të mrekullueshme për çiklist”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës gjithashtu ka premtuar rinovimin e ashensorëve në ndërtesat e kuqe dhe instalimin e liftave të rinj aty ku është e nevojshme.

“Ndërtesat e kuqe i kanë liftat ekzistues që do të renovohen, ndërsa aty ku ka nevojë për lift të ri do ta bëjmë. Po ashtu, shkollën ‘Ismail Qemali’ do ta transformojmë në një shkollë super moderne me investim prej 2.4 milionë eurosh dhe do të kalojë në mësim tërëditor,” ka shtuar ai.a

Rama tha se këto investime janë pjesë e planit të gjerë të komunës për përmirësimin e infrastrukturës, arsimit dhe cilësisë së jetesës në kryeqytet. /Kosova.info/


Go to TOP