Murati sqaron vendimin e Supremes: Nuk shfuqizohet asnjë akt i Qeverisë Kurti, por udhëzimi i vitit 2015 i koalicionit PDK–LDK

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka dalë me një reagim pas raportimeve për vendimin e Gjykatës Supreme që lidhet me përfitimet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për ndonjë akt të miratuar nga Qeveria Kurti, por për një udhëzim administrativ të vitit 2015, të miratuar në kohën kur qeverinë e përbënin PDK dhe LDK.

Murati ka theksuar se mediat duhet të përmbahen nga raportimet tendencioze që, sipas tij, gabimisht tentojnë ta paraqesin këtë si një vendim që prek aktet e Qeverisë aktuale.

“Sot Gjykata Supreme ka publikuar aktgjykimin për shfuqizimin e një neni të një Udhëzimi Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, të miratuar në vitin 2015 nga Qeveria PDK–LDK. Pra, nuk bëhet fjalë për ndonjë udhëzim të Qeverisë Kurti,” ka theksuar Murati.

Sipas tij, neni i shfuqizuar kërkonte nga aplikuesit për statusin e veteranit që të dorëzonin dëshminë nga ATK se nuk ishin të punësuar – kusht ky që tani është vlerësuar i paligjshëm nga Gjykata Supreme, pasi bie ndesh me nenin 16A të Ligjit për Veteranët, të ndryshuar në vitin 2017, po ashtu gjatë qeverisjes PDK–LDK.

Ky nen parashihte kategorizimin e veteranëve në tri kategori sipas periudhës së pjesëmarrjes në luftë dhe u mundësonte atyre që punonin jashtë sektorit publik të përfitonin 50% të shumës së benefitit përkatës.

Murati tha se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të analizojë me zyrën ligjore nëse aktgjykimi i Supremes është i mjaftueshëm që të mundësohet përfitimi i këtij benefiti edhe për veteranët që punojnë jashtë sektorit publik, apo nëse do të kërkohen ndryshime të reja ligjore.

“Sido që të jetë, Kryeministri Kurti tashmë e ka dhënë zotimin publik, dhe ne do të punojmë për ta jetësuar atë zotim sa më parë,” përfundoi Murati. /Kosova.info/

Go to TOP