IHMK: Reshjet më të shumta ka pasur në perëndim të Kosovës

Instituti hidrometeorologjik të dielën doli me një njoftim se në disa zona, mund të krijohen kushte për vërshime të shpejta, sidomos në rrjedhat lumore me karakter malor. Nga njohës të emergjencave nuk e shohin situatën të jashtëzakonshme, derisa apelojnë tek institucionet që të jenë të përgatitura.

Reshjet e shiut, që ranë pothuajse gjatë gjithë ditës së diel, bënë që Instituti Hidrometeorologjik të dalë me një njoftim, në të cilin thuhet se në disa zona mund të krijohen kushte për vërshime të shpejta, sidomos në rrjedhat lumore me karakter malor.

Njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, këtë nuk po e sheh si diçka të jashtëzakonshme, mirëpo theksoi se meqë po hyjmë në sezonin e të reshurave, institucionet të jenë të përgatitura që të përballohen vërshimet e mundshme.

“Nuk ka diçka të jashtëzakonshme, mirëpo mund të ketë vërshime në ato zona apo nëpër zonat urbane në qytete qoftë për shkak të infrastrukturës së dobët . Duhet theksuar se tani jemi në sezonin, po hyjmë në sezonin e të reshurave dhe institucionet gjithmonë duhet të jenë të përgatitura qoftë me marrjen e masave të ndryshme që t’i përballojnë vërshimet e  mundshme, kur jemi të masat në vendet urbane të pastrohen pusetat apo ujëmbledhësit, pastaj në zonat malore të kemi pastrimin e përroskave të ndryshme, pastrimin e lumenjve, në mënyrë që kur të kemi të reshura më te theksuara, këto vërshime mos të shkaktojnë dëme apo edhe në raste mos të rrezikojnë jetën e qytetarëve”, tha Ahmeti.

Bashkim Kastrati, hidrolog në Institutin hidrometeorologjik, thotë se për shkak të intensitetit më të madh të reshjeve të shiut gjatë dy ditëve të fundit, në disa pjesë të Kosovës ka pasur përmbytje të vogla. Ai shton se në territorin e Kosovës kanë rënë diku rreth 50 milimetra reshje shiu, ku sasia më e madhe ka rënë në pjesën perëndimore, gjegjësisht në rrethinën e Prizrenit, në pellgun e Bistricës së Prizrenit, pastaj edhe atë të Lepencit.

“Si pasojë e sasisë së reshjeve e cila ka ra pothuajse pandërprerë gjatë rreth 48 orëve të fundit, në disa pjesë të Kosovës, intensiteti ka qenë më i lartë, prandaj edhe si pasoj. Gjatë ditës së sotme e bëmë një analizë të të dhënave, të cilat na vijnë nga rrjeti shtetëror hidrometeorologjik konstatuam se mesatarisht deri tani në territorin e Republikës së Kosovës ka ra diku rreth 50 milimetra reshje sasia më e madhe e tyre ka rënë në pjesën perëndimore të Kosovës, gjegjësisht në rrethinën e Prizrenit, në pellgun e Bistricës së Prizrenit, pastaj edhe atë të Lepencit, dhe e pamë qe kishim një ngritje rapide të nivelit të ujit, në Lepenc”, tha Kastrati.

Kastrati theksoi se në bazë të analizave, në pjesët e tjera të Kosovës nuk ka përmbytje lumore.


Go to TOP