Dardanët e rinj vazhdojnë përgatitjet për kualifikimet e EURO 2026

Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll po vazhdon me intensitet të lartë përgatitjet për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2026.

Nën drejtimin e Bujar Qerimit, koordinator i grupmoshave të reja në Federatën e Hendbollit të Kosovës, Dardanët e rinj janë grumbulluar në Istog, ku kanë zhvilluar disa seanca stërvitore të suksesshme.

Stërvitjet po mbahen në palestrën “Dresha” në Banjë, dhe sipas Qerimit, atmosfera dhe angazhimi i lojtarëve janë shumë pozitivë.

“Jemi të kënaqur me përkushtimin e djemve. Kjo është një gjeneratë që premton dhe besoj se do të bëjmë hapa të rëndësishëm në këtë grumbullim dhe në ndeshjet që na presin në Ankara”, ka deklaruar Qerimi.

Kosova U18 do të udhëtojë drejt Turqisë të enjten, ku do të zhvillojë tre ndeshje në kuadër të kualifikimeve: Të premten ndaj Rumanisë, të shtunën ndaj Turqisë, ndërkaq të dielën ndaj Italisë.

Kombëtarja jonë synon të tregojë rritje të dukshme në performancë dhe të konkurrojë denjësisht ndaj kundërshtarëve të fortë të grupit.


Go to TOP