Kriza politike në Kosovë: Muhaxheri flet për Kosova.info, paralajmëron zgjedhje të reja dhe qeveri të qëndrueshme pas tyre
Analisti politik Arton Muhaxheri ka dhënë një intervistë për Kosova.info, ku vlerëson situatën politike në vend pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3. Sipas tij, Kosova po përballet me një krizë institucionale dhe pasiguri ekonomike, që kërkon zgjidhje të menjëhershme.
Kosova.info: Si e shihni situatën politike aktuale në vend?
Muhaxheri: Deshtimi i formimit të qeverisë Kurti 3 është pasoje direkte e mungesës së numerave në Kuvend. Klima e tensionuar midis partive politike shqiptare dhe gjuha përçarëse e Kurtit kanë larguar partnerët potencialë, duke krijuar një izolim politik dhe bllokada institucionale në momente kur vendi ka pasur më së shumti nevojë për stabilitet.
Kosova.info: Cilat janë pasojat kryesore të kësaj situate për qytetarët dhe ekonominë?
Muhaxheri: Kurti nuk ka pasur vullnet politik për të formuar qeveri të re, duke mbajtur peng proceset shtetërore. Si rezultat, populli po përballet me vakuum politik dhe pasiguri ekonomike, ndërsa mosbesimi ndaj institucioneve po thellohet.
Kosova.info: Çfarë zgjidhjeje sugjeroni për të dalë nga kjo krizë?
Muhaxheri: Para se të bëhet vonë, Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja për të krijuar një qeveri të qëndrueshme pa Kurtin në krye. Vetëm një rikonfigurim i ri politik, me parti që kanë kapacitet negociues dhe përvojë institucionale, mund të rikthejë stabilitetin, integrimin ndërkombëtar dhe perspektivën ekonomike të vendit.
Muhaxheri përfundon duke theksuar se vendi nuk mund të qëndrojë në këtë situatë pasive. Sipas tij, zgjedhjet e reja dhe dialogu konstruktiv ndërpartiak janë të vetmet rrugë për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm dhe për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe sigurinë e qytetarëve. /Kosova.info/
