KMDLNJ: Kosova “TOKË E PREMTUAR” për refugjatë dhe kriminelë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjeve që Kosova ka nënshkruar dhe po shqyrton me disa shtete evropiane për transferimin e të dënuarve dhe refugjatëve të paligjshëm në territorin e saj, raporton Konflikti.com.
Në reagim, KMDLNj përmend marrëveshjen e mëhershme të ish-ministres së Drejtësisë me Danimarkën për pranimin e 300 të dënuarve për vepra të rënda kriminale, të cilët nuk janë shtetas danezë. Sipas organizatës, kjo marrëveshje u votua nga deputetë të painformuar dhe do të ketë pasoja afatgjata për sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.
“Asnjë vend i rajonit nuk ka pranuar kërkesën e Danimarkës, duke vlerësuar drejt rrezikun dhe pasojat që sjell një marrëveshje e tillë,” thuhet në reagim.
Pas marrëveshjes me Danimarkën, sipas KMDLNj-së, interes për “qira burgjesh” në Kosovë kanë shfaqur edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika. Dy ministre belge kanë vizituar Prishtinën për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje të ngjashme, ndërsa së fundi, edhe kryeministri britanik Keir Starmer ka treguar interes për vendosjen e refugjatëve të paligjshëm dhe të dënuarve në Kosovë.
KMDLNj pretendon se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dhënë zotime homologut britanik për pranimin e refugjatëve të paligjshëm nga Anglia, pa debat dhe pa konsultim me institucionet e vendit. Sipas organizatës, kjo bëhet “në këmbim të garancioneve të sigurisë nga Mbretëria e Bashkuar”, në një kohë kur, siç thekson ajo, “as Ukraina nuk ka marrë garanci të tilla”.
Këshilli nënvizon se Kosova ka vetëm dy qendra të vogla për refugjatë dhe azilkërkues dhe se tashmë po përballet me vështirësi serioze në menaxhimin e tyre. “Ata përfshihen në aktivitete kriminale si vjedhje, narkotikë dhe sulme seksuale,” thuhet në reagim.
Sipas KMDLNj-së, Kosova nuk ka kapacitete fizike, profesionale apo materiale për të menaxhuar një numër të madh refugjatësh dhe të dënuarish, ndaj çdo marrëveshje e tillë duhet refuzuar, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera të rajonit.
Organizata paralajmëron se një marrëveshje e tillë do të shkelë të drejtat e njeriut, pasi refugjatët dhe të burgosurit do të transferohen “kundër vullnetit të tyre dhe në mënyrë të dhunshme”. Ajo kujton se, pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, çdo marrëveshje që diskriminon apo shkel konventat ndërkombëtare do të anulohet.
KMDLNj kërkon përgjegjësi penale për ish-ministren e Drejtësisë për “rrezikim të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit”, ndërsa e cilëson çdo marrëveshje të mundshme me Britaninë e Madhe si “akt politik dhe juridikisht të paligjshëm”.
“Jetësimi i këtyre marrëveshjeve do të ishte rrezik serioz për sigurinë në Kosovë, duke nxitur kriminalitetin, radikalizmin fetar, trafikimin me qenie njerëzore, narkotikët, prostitucionin dhe dhunën seksuale,” përfundon reagimi i KMDLNj-së./Kosova.info/
