Demhasaj: Jam kërcënuar nga militantë të VV-së vetëm pse shpreha mendim politik – kjo nuk është demokraci!
Analisti politik Arton Demhasaj ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë ai, kërcënimeve që ka marrë pas një deklarate publike të tij. Ai akuzon militantët e Lëvizjes Vetëvendosje për gjuhë urrejtjeje dhe frikësim politik duke e quajtur këtë një rrezik serioz për demokracinë në vend.
“Kur ‘aktivistët’ e Vetëvendosjes flasin me gjuhën e dhunës! Kjo është fytyra e vërtetë e militantizmit që po rritet nën flamurtarin e VV-së! Unë kam pranuar kërcënime direkte vetëm pse kam shprehur një mendim politik. Kjo nuk është demokraci – kjo është frikësim politik,” ka shkruar Demhasaj.
Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e rendit. “Kërkoj nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që të nisin menjëherë hetimet ndaj personit që më ka kërcënuar. Nëse shteti hesht, atëherë është bërë pjesë e frikës që po përhapin militantët partiakë.”
Demhasaj ka theksuar se liria e fjalës është e shenjtë dhe se askush nuk duhet të ndihet i rrezikuar për një qëndrim publik. “Liria e fjalës nuk mbrohet me urrejtje, as me ‘armatat’ virtuale të VV-së,” ka përfunduar ai duke kërkuar ndëshkim ligjor për gjuhën kërcënuese që, sipas tij, po normalizohet në hapësirën publike. /Kosova.info/
