Gërvalla në OKB: Kosovë e Metohi nuk ekziston, ajo është gjuha e Millosheviqit

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar ashpër ndaj fjalimit të ministrit serb të Jashtëm, Marko Gjuriq, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke theksuar se termi “Kosovë e Metohi” është një mbetje e politikave hegjemoniste të Serbisë dhe nuk ekziston më.

“Nuk ka Kosovë dhe Metohi – ajo nuk ekziston. ‘Kosova dhe Metohia’ është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Millosheviqit dhe e atyre që e ndjekin”, deklaroi Gërvalla në fillim të fjalimit të saj.

Ajo theksoi se Kosova është një demokraci e pastër perëndimore dhe një nga vendet më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. “Mbështetja për NATO-n dhe SHBA-në është 99%. Ne jemi vendi më pro-NATO dhe pro-SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA”, tha ajo.

Ministrja Gërvalla prezantoi edhe fotografi të një murali në Serbi, të cilin e cilësoi si dëshmi të kërcënimit serb ndaj Kosovës. “Në Serbi mund të shihni grafite murale të mëdha ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’, por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet,” theksoi ajo.

Duke iu referuar politikave të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, Gërvalla tha se Serbia po e ushqen urrejtjen ndaj Kosovës përmes propagandës. “E përcjellim çdo ditë propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjen që helmon popullatën serbe. Në vend të normalizimit, Vuçiqi ndjek një strategji që e çon drejt agresionit ushtarak,” shtoi ajo.

Në fund, Gërvalla përsëriti angazhimin e Kosovës për dialog me Serbinë, por vetëm për një proces të sinqertë dhe të drejtë. “Ne jemi në favor të dialogut – por të një dialogu të vërtetë, jo të mashtrimeve të Vuçiqit. Ne kërkojmë paqe të qëndrueshme, jo tensione të reja,” përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP