Agron Kuçi thotë se u kërcënua pas denoncimit të keqpërdorimeve zgjedhore në Junik

Kandidati i AAK-së për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka bërë të ditur se është përballur me kërcënime të drejtpërdrejta me jetë dhe tentativa për frikësim, pas denoncimit publik të, siç i quan ai, skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunë.

Në një reagim publik, Kuçi tha se kërcënimet kanë ardhur nga persona të lidhur me strukturat lokale të një partie politike, përfshirë edhe një zyrtar komunal dhe militant të LDK-së me inicialet A.M.

“Sot kam pranuar kërcënime të drejtpërdrejta me jetë nga A.M., militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili është gjithashtu zyrtar komunal. Edhe gjatë fushatës ka pasur kërcënime indirekte nga aktivistë të kësaj partie, por i kam injoruar për të ruajtur qetësinë në Junik dhe për të mos e dëmtuar procesin zgjedhor,” tha Kuçi.

Ai shtoi se kërcënimet e fundit janë bërë edhe përmes personave që kanë shkuar në shtëpinë e tij duke i kërkuar të tërhiqet nga denoncimi i manipulimeve me vendbanime dhe lista të votuesve.

“Rastin e kam paraqitur në organet kompetente. Ata që mashtruan, shpifën dhe blenë vota me shuma të mëdha, tani po përpiqen ta heshtin të vërtetën me kërcënime e presione,” theksoi kandidati i AAK-së.

Kuçi akuzoi “një kastë politike” se po e përdor pushtetin për të ruajtur interesat personale duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga rruga e tij.

“Me kërcënime të tilla jam përballur edhe nga regjimi i atëhershëm, por as atëherë nuk jam përkulur dhe as sot nuk do të përkulem. Do të vazhdoj ta them dhe ta mbroj të vërtetën, të punoj për të drejtën, dinjitetin dhe të ardhmen e Junikut dhe të junikasve,” u shpreh ai.

Në fund, Agron Kuçi tha se “Junikut i duhet drejtësi, jo frikë; dinjitet, jo kërcënime; zhvillim, jo korrupsion i fshehur pas pushtetit” duke theksuar se do të vazhdojë betejën e tij për transparencë dhe integritet në procesin zgjedhor. /Kosova.info/


Go to TOP