Kurti ngushëllon për vdekjen e Bugajskit: Një intelekt i rrallë, që do t’i mungojë botës akademike dhe neve të gjithëve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të analistit dhe studiuesit të njohur amerikan, Janusz Bugajski, një prej njohësve më të mirë të Ballkanit dhe çështjeve ndërkombëtare.
Në një postim, Kurti e ka cilësuar Bugajskin si “kërkues shkencor, autor të shumë librave dhe figurë të respektuar ndërkombëtarisht” duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ngritjen e vetëdijes për situatën në rajonin e Ballkanit.
“E kam takuar disa herë përgjatë dy dekadave që nga viti 1997: te kombinimi i kompetencës me drejtësinë dhe njerëzinë, analisti Bugajski nuk e ka një të dytë,” ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Bugajski, përveç angazhimit akademik, ka kontribuar edhe në administrata amerikane dhe në media duke qenë një zë i besueshëm e profesional për zhvillimet në rajon.
“Janusz Bugajski është figurë e cila do t’i mungojë librit, medias, rrethit të intelektualëve dhe të gjithë neve,” ka përfunduar Kurti duke i shprehur ngushëllime të përzemërta familjes dhe gjithë atyre që e njohën nga afër të ndjerin. /Kosova.info/
