Rast i rëndë dhune në familje në Prizren – plagosen rëndë nënë e bijë, i dyshuari arrestohet
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se rreth orës 00:20 pas mesnatës së datës 17 tetor 2025, në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, është raportuar një rast i rëndë dhune në familje, transmeton Kosova.info.
Sipas njoftimit, policia ka pranuar informatën për rastin dhe patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Me të arritur, zyrtarët policorë kanë hasur një grua me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara nga një mjet i mprehtë – thikë. Viktimës, e cila është bashkëshortja e të pandehurit, i është ofruar ndihma e parë nga policia deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.
Në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe vajza e mitur e viktimës, e cila po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Ajo, së bashku me nënën, është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë.
Njësitë policore dhe teknika kriminalistike kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.
Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.
Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në zhvillim./Kosova.info/
