Rriten rastet e dhunës në familje – disa gra raportojnë sulme nga bashkëshortët në qytete të ndryshme të Kosovës

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, në disa komuna të vendit, përfshirë Prishtinën, Vushtrrinë, Deçanin dhe Gjakovën. Në të gjitha rastet, viktimat kanë qenë gra, të cilat janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Kosova.info.

Në Prishtinë, një grua ka raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa palët janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Një rast i ngjashëm është regjistruar në Vushtrri, ku viktima femër ka raportuar në orët e hershme të mëngjesit se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Edhe në këtë rast, viktima ka pranuar ndihmë mjekësore dhe procedura ligjore po vazhdojnë.

Në Deçan, një grua është dërguar në QKMF pas sulmit nga bashkëshorti i saj. Sipas mjekut kujdestar, ajo ka lëndime të lehta sipërfaqësore, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe po kërkohet nga policia.

Ndërkohë, në Gjakovë, një burrë është arrestuar pasi në mënyrë të vazhdueshme kishte shqetësuar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rastet e dhunës në familje mbeten një shqetësim serioz shoqëror, ndërsa po vazhdon të inkurajojë qytetarët që të raportojnë çdo formë dhune në mënyrë të menjëhershme./Kosova.info/

Go to TOP