Nis numërimi i votave edhe në Prishtinë, Podujevë e Kllokot

Nga ora 16:00 ka nisur numërimi i votave edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit, në Prishtinë, Podujevë e Kllokot të cilat gjatë ditës së sotme patën probleme me internetin.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, derisa ka bërë të ditur se procesi i numërimit ka përfunduar në Qendrat Komunale të Numërimit në Junik, Zveçan e Mamushë, ndërsa të hënën në mbrëmje ky proces është përmbyllur edhe në Han të Elezit.

“Ju njoftoj se sipas informacioneve që kemi pranuar nga komuna të ndryshme, po vazhdon procesi i paraparë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit. Në ora 16:00 ka përfunduar procesi në tri prej tyre, në Junik, Mamushë e Zveçan, ndërkaq në Han të Elezit është mbyllur të hënën e =në mbrëmje. Nga ora 16:00 ka filluar puna edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit, Prishtinë, Podujevë e Kllokot”, bëri të ditur Elezi në konferencë për media.

Tutje, ai tha se sipas informacioneve që kanë nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 16:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 334 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 334, tregoi Elezi në konferencë para gazetarëve se janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

Ka bërë të ditur se në platformën e KQZ-së kanë filluar të prezantohen rezultatet  nga QKN-të ku përfshihen rezultatet për Kryetarë të Komunave,  rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, dhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.


Go to TOP