Në Ferizaj mbahet turneu përkujtimor “Gani Maloku 2025” në pingpong
Federata e Pingpongut e Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë se më 18 dhe 19 tetor 2025, në ambientet e ShFMU “Astrit Bytyçi” në Ferizaj, do të zhvillohet turneu tradicional përkujtimor “Gani Maloku 2025”.
Ky aktivitet sportiv, i cili organizohet në nderim të kontributit të madh të Gani Malokut për zhvillimin e pingpongut kosovar, do të mbledhë garues nga e gjithë Kosova në disa kategori.
Garat do të zhvillohen në konkurrencat e meshkujve dhe femrave, në grupmoshat U11, U13, U15, U19, si dhe për seniorë e veteranë duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për afirmimin e talenteve të rinj dhe për nderimin e brezave të mëparshëm të këtij sporti.
Federata e Pingpongut e Kosovës fton të gjithë sportdashësit dhe pjesëmarrësit që të jenë pjesë e këtij turneu tradicional, në atmosferë miqësie, respekti dhe garash sportive.
“Ju mirëpresim në Ferizaj!”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/


