Policia e Kosovës prezanton planin operativ për zgjedhjet lokale të 12 tetorit: Siguri maksimale dhe bashkëpunim me KQZ-në

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha planifikimet e saj operacionale për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 në Republikën e Kosovës.

Përmes hartimit të urdhrit operativ policor, Policia ka planifikuar një operacion të detajuar në katër faza kryesore: periudhën parazgjedhore përgatitore, ofrimin e sigurisë gjatë fushatës, menaxhimin e ditës së zgjedhjeve (dita “Z”), si dhe periudhën paszgjedhore që përfshin transportin e materialit zgjedhor nën mbikëqyrje të Policisë deri në përfundimin e procesit.

Në këtë operacion do të angazhohet një numër i konsiderueshëm zyrtarësh policorë të profileve të ndryshme, që vijnë nga njësitë e ndryshme të Policisë së Kosovës. Gjithashtu, janë caktuar koordinatorë të Policisë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet tjera të përfshira në proces, si dhe është hartuar një udhëzues i veçantë për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë zgjedhjeve.

Sipas planifikimeve policore, qëllimi kryesor i këtij urdhri operativ është:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës;

Sigurimi i Qendrave të Votimit, Këshillave Komunale të Zgjedhjeve, Depove Komunale, Qendrës së Numërimit të Rezultateve dhe Depove Qendrore;

Përcjellja dhe ruajtja e sigurt e materialit sensitiv zgjedhor në të gjitha fazat e procesit;

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale që bie ndesh me të drejtën e votimit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të subjekteve politike që të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim që ndërlidhet me aspektin e sigurisë, përmes numrit 192, adresës elektronike [email protected], apo në stacionin më të afërt policor.

Në fund, Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të sigurt dhe demokratik në mbarë vendin. /Kosova.info/

Go to TOP