Çeku: Prishtina do të brendohet si destinacion turistik me gastronomi të gjallë dhe mikpritje të ngrohtë
Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka prezantuar vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit përmes forcimit të ofertës turistike dhe gastronomike. Ai tha se Prishtina do të brendohet si një destinacion turistik atraktiv, me gastronomi të gjallë dhe mikpritje të ngrohtë që reflekton shpirtin e qytetit.
Sipas Çekut, qëllimi është të arrihet rritje e zhvillimit ekonomik, zvogëlim i papunësisë nën 5% dhe forcim i zinxhirit turistik përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin e gastronomisë.
“Bashkëpunimi me gastronomët e qytetit është qenësor në funksionimin e tërë zinxhirit për të arritur këtë qëllim që do të sjellë të mira të përbashkëta,” theksoi Çeku.
Ai shtoi se qasja e tij qeverisëse do të bazohet në partneritet të ngushtë me gastronomët dhe banorët duke synuar që përmes dakordimeve kolektive të përfitojë i gjithë qyteti.
Në këtë drejtim, vizioni i Çekut për Prishtinën përfshin promovimin e turizmit urban, zhvillimin e bizneseve vendore dhe krijimin e një identiteti të qëndrueshëm turistik që do të rrisë mirëqenien dhe punësimin në kryeqytet. /Kosova.info/
