Juniku më në fund me rrugë të asfaltuara, Shehu: Punë e ndershme për transformimin e komunës

Ruzhdi Shehu, kryetari i Junikut, ka njoftuar se projekti i asfaltimit të pothuajse të gjitha rrugëve lokale dhe rrugicave në komunë ka arritur në fazën përfundimtare. Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të përfundojnë edhe rrugët e mbetura duke e bërë Junikun një komunë me rrugë të asfaltuara në tërësi.

Shehu theksoi rëndësinë e infrastrukturës rrugore si parakusht për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, si dhe për zhvillimin ekonomik e social të komunës. Ai shtoi se këto punë ka qenë dashur të realizoheshin më shumë se 12 vite më parë, por gjatë mandatit të parë të LDK-së në Junik, ky projekt u finalizua me sukses.

“Ndërsa të tjerët fokusohen në krijimin e frontit të përbashkët kundër LDK-së, ne vazhdojmë punën tonë me duar të pastra për transformimin e Junikut. 12 tetori do të jetë një festë e madhe për junikasit, të cilët nuk do të lejojnë që interesat personale të dominojnë mbi interesin e përgjithshëm të komunës,” tha Shehu.

Ky projekt shënon një arritje të rëndësishme për banorët e Junikut dhe përfaqëson një hap të madh drejt zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.

#LDK113 #RuzhdiShehu #JunikuPërtej /Kosova.info/

Go to TOP