Visoka transferohet nga universitetet e Dublinit e Oksfordit në UP
Profesori i Universitetit të Qytetit të Dublinit si dhe bashkëpunëtorit kërkimor në Universitetin e Oksfordit, Gëzim Visoka është transferuar në Universitetin e Prishtinës.
“Me propozimin e rektorit, prof. Arben Hajrullahu, në mbledhjen e 20-të, të zhvilluar më 30 shtator 2025, Senati i Universitetit të Prishtinës njëzëri miratoi propozimin për transferimin e profesorit të Universitetit të Qytetit të Dublinit (DCU, Dublin City University, School of Law and Government, Ireland) si dhe bashkëpunëtorit kërkimor në Universitetin e Oksfordit (Department of Politics and International Relations, Oxford University, UK), Gëzim Visoka, në Departamentin e Shkencës Politike të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, si profesor i asociuar”, ka njoftuar UP.
Profesori Gëzim Visoka është autor dhe redaktor i 12 librave, 30 punimeve shkencore dhe 25 kapitujve të librave, të botuara nga revista dhe shtëpi botuese ndërkombëtare ndër më prestigjiozet.
“Ardhja e profesorit Gëzim Visoka në UP hap një praktikë të re në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësim të cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në kohën e zhvillimeve të hovshme teknologjike dhe inteligjencës artificiale”, vlerëson UP. /Kosova.info/
