Abdixhiku e Rama nga Prishtina: Kërkojnë mandat të dytë për LDK-në, krenohen me mësimin tërëditor dhe projektet e realizuara

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti sot një tubim elektoral në Prishtinë, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, paraqitën arritjet e deritanishme të qeverisjes lokale duke kërkuar një mandat të dytë në zgjedhjet e 12 tetorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se krenaria më e madhe e qeverisjes së LDK-së në Prishtinë është mësimi tërëditor duke e cilësuar këtë projekt si një revolucion arsimor me ndikim kombëtar.

“Prishtina duhet të ecë përpara sepse vetëm kur ecë Prishtina, ecë edhe Kosova. Katër vite më parë ne rinisëm këtë mision, i dhamë këtij qyteti një vizion të ri, i dhamë një kryetar ndryshe, LDK solli Përparim Ramën, kryetarin e katër viteve të Prishtinës. (…) Projekti më i madh, krenaria më e madhe e këtyre katër viteve na mbetet mësimi tërëditor. Për herë të parë në historinë e kryeqytetit, fëmijët tanë kalojnë ditën në shkolla moderne me kushte të denja, me ushqim të sigurtë, me kujdes të veçantë pedagogjik, me aktivitete të shumta që i përgatisin ata për jetën. Ky projekt nuk është vetëm një risi arsimore, por është një revolucion nacional i nisur në 12 shkollat e Prishtinës e që po merret shembull në çdo komunë”, tha Abdixhiku.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se programi i Prishtinës ishte menduar për dy mandate dhe se për të vazhduar projektet kapitale, qyteti duhet të qëndrojë me LDK-në.

“E me një numër të madh të projekteve si smart city që jemi të parët jo vetëm në Kosovë, as në rajon por ndër të parët në Evropë sepse Prishtina dinë, Prishtina donë, Prishtina mundet, Prishtina ka profesionistë me të cilët mendojmë për të mirën dhe për të ardhmen e vendit tonë. (…) Vetëm shkoni e shikoni në Prishtina.work numrin e projekteve që e ka bo Prishtina këto katër vitet e fundit, kemi më shumë se 1000 projekte. Më shumë se Qeveria e Kosovës në gjithë Kosovën. Kjo është Prishtina, kjo është LDK”, u shpreh Rama.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ku qytetarët do të votojnë për kryetarët e komunave dhe asambletë komunale. /Kosova.info/


Go to TOP