Osmani në Nju Jork: Kosova, model rajonal në luftën kundër ekstremizmit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këtë javë në Nju Jork mori pjesë në takimin e radhës të Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF), me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul.

Në një reagim publik, Presidentja Osmani tha se Kosova, që nga viti 2017 është vend partner i GCERF, ka treguar përkushtim të palëkundur në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Riafirmova përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Nga ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, deri te përballja me radikalizimin online, Kosova është shndërruar në një model për rajonin duke treguar se përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe vlerave të përbashkëta, edhe sfidat më të mëdha globale mund të tejkalohen,” theksoi Osmani.

Ajo shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kyç për të garantuar siguri dhe stabilitet jo vetëm në Kosovë dhe rajon, por edhe në nivel global. /Kosova.info/


Go to TOP