Rusia i akuzon NATO-n e BE-në se po i shpallin “luftë të vërtetë” përmes Ukrainës
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i ka akuzuar NATO-n dhe Bashkimin Evropian se po e përdorin Ukrainën për të shpallur një “luftë të vërtetë” kundër vendit të tij. Këto komente kryediplomati rus i bëri në një fjalim të mbajtur të enjten në Kombet e Bashkuara.
Kryediplomati rus foli në një takim të ministrave të jashtëm të Grupit G20 në OKB dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, duke i çmuar përpjekjet e Ukrainës në luftë dhe duke thënë se aleatët e NATO-s duhet t’i rrëzojnë aeroplanët rusë që hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tensionet janë rritur në pjesën lindore të Evropës, ku Estonia e ka akuzuar Rusinë për dërgimin e tre aeroplanëve luftarakë në hapësirën e saj ajrore, një javë pasi aeroplanët e NATO-s rrëzuan dronë rusë në hapësirën ajrore të Polonisë.
“Një shembull tjetër i pastër është kriza në Ukrainë e provokuar nga Perëndimi, përmes së cilës NATO-ja dhe BE-ja tashmë… i kanë shpallur një luftë të vërtetë vendit tim dhe janë drejtpërdrejt të përfshira në të” – tha Lavrovi.
Politikani që e ka mbajtur pozitën e shefit të diplomacisë ruse për më shumë se dy dekada ka bërë deklarata të ngjashme edhe në të kaluarën, por jehona e tyre brenda mureve të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara – fjalë të dhëna para homologëve të Grupit G20 – e nënvizoi peshën e momentit, thekson agjencia “Reuters”.
Lavrovi nuk iu referua komenteve të kësaj jave të presidentit amerikan, por e ritheksoi pozicionin e Rusisë se ishin veprimet e Perëndimit ato që e provokuan luftën në Ukrainë, e cila filloi me hyrjen e trupave ruse në shkurtin e vitit 2022.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u bëri thirrje fuqive botërore që të ushtrojnë trysni ndërkombëtare ndaj Kremlnit.
“Nuk ka shenja se qëllimi i Rusisë për ta vënë nën kontroll Ukrainën ka ndryshuar” – tha kryediplomatja evropiane.
