Cakolli: Vendimi për transportin urban falas, shembull i shfrytëzimit elektoral të resurseve publike
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për ofrimin e transportit urban falas për kategori të caktuara të qytetarëve duke e cilësuar atë si një vendim me prapavijë elektorale.
Sipas tij, ndonëse në shikim të parë ky vendim mund të duket i drejtë dhe i favorshëm, fakti që merret gjatë fushatës zgjedhore dhe hyn në fuqi vetëm 12 ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, e bën atë një vendim të pastër elektoral.
“Për më keq, ky është shembull tipik i shfrytëzimit të resurseve publike për përfitim elektoral – praktikë për të cilën pikërisht partia që sot udhëheq kryeqytetin akuzonte partinë në pushtet qendror gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka thënë Cakolli.
Ai shtoi se abuzimi me resurset publike për vota përbën cenim të garës së barabartë zgjedhore, kudo, kurdo dhe nga kushdo që ndodh. /Kosova.info/
