Trumpi pretendon se iu bë “sabotim i trefishtë” – kërkon hetim ndaj OKB-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pretendon se i është bërë “sabotim i trefishtë” në Kombet e Bashkuara, pasi ai u ballafaqua me një varg problemesh teknike para dhe gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Një turp i vërtetë ndodhi dje në Kombet e Bashkuara. Jo një, jo dy, por tri ngjarje të liga” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”, raporton gazeta “The Guardian”.
Sipas tij, arritja pa problem për samitin që po mbahet në Nju-Jork u pengua, kur shkallët lëvizëse ku kishte hipur bashkë me gruan e tij, u ndalën. Ai u shpreh i lehtësuar që çifti presidencial “nuk ra përpara mbi skajet e mprehta të këtyre shkallëve të çelikut, me fytyrë”.
Më pas, kur doli në foltoren e OKB-së, Trumpi u ankua se telepromteri u bë “i zi e i ftohtë si guri”. “Menjëherë mendova me vete: Wow, së pari ngjarja me shkallët lëvizëse dhe tani një teleprompter i keq. Çfarë lloj vendi është ky” – shkroi presidenti amerikan.
Pasi u detyrua që të improvizonte disa pjesë të fjalimit të tij para udhëheqësve botërorë, ai tha se e pyeti bashkëshorten se si iu duk fjalimi dhe ajo i tha: “Nuk mund të dëgjoja asnjë fjalë që the.”
“Kjo nuk ishte rastësi, ishte sabotim i trefishtë në OKB” – shtoi Trumpi, duke kërkuar hetim “të menjëhershëm” për këto çështje.
“Të gjitha regjistrimet e sigurisë në shkallët lëvizëse duhet të ruhen, sidomos pulla për ndalje emergjente. Shërbimi Sekret është i përfshirë” – tha më tej presidenti amerikan.
Stephane Dujarric, zëdhënës i Kombeve të Bashkuara, ka thënë se një hetim ka treguar se një kameraman i delegacionit amerikan, i cili kishte vrapuar para çiftit presidencial për të marrë pamje të arritjes së tyre, mund ta ketë “nxitur pa dashje mekanizmin e sigurisë”.
