ShBA-ja ka plan për paqen në Gaza dhe shpreson për përparim së shpejti, thotë Witkoff
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një plan të paqes me 21 pika për Lindjen e Mesme në takimet e kësaj jave në Kombet e Bashkuara dhe shpresojnë për një përparim domethënës rreth Gazës ditëve në vijim, tha të mërkurën emisari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ua paraqiti propozimet krerëve të disa shteteve me shumicë myslimane ose arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Egjiptin, gjatë një takimi të zhvilluar në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të hënën, tha Witkoff.
“Mendoj se kjo i adreson shqetësimet izraelite dhe, po ashtu, shqetësimet e të gjithë fqinjëve në rajon. Ne kemi shpresë dhe mund të them edhe besim që ditëve në vijim do të jemi në gjendje që të njoftojmë një lloj përparimi domethënës” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë mbetet aleate e palëkundur e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili pritet t’u drejtohet udhëheqësve botërorë në OKB të premten në Nju-Jork. Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ai do të takohet edhe me presidentin amerikan.
Të dy udhëheqësit e kanë dënuar njohjen e shtetësisë palestineze nga disa fuqi perëndimore si Franca dhe Britania ditëve të fundit.
Izraeli ndërkohë e ka vazhduar fushatën e vet ushtarake në Qytetin Gaza, pavarësisht nga thirrjet e vazhdueshme për t’u tërhequr.
Paralelisht me planin e Trumpit, disa fuqi evropiane dhe shtete arabe gjithashtu kanë qenë duke punuar në një nismë për atë që do të ndodhë pas përfundimit të luftës në Gaza, përfshirë themelimin e një force stabilizuese të përbërë nga vendet evropiane e myslimane.
Diplomatët evropianë shpresojnë se puna e tyre dhe një deklaratë e mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme për ta përkrahur dislokimin e një misioni të përkohshëm ndërkombëtar për stabilizim mund të përafrohen me planet e Shteteve të Bashkuara.
