PDK hap fushatën në Istog me kandidatin Ali Nimanaj
PDK ka hapur fushatën në Istog, duke prezantuar kandidatin për kryetar, Ali Nimanaj, dhe programin qeverisës për katër vitet e ardhshme. Kryetari Memli Krasniqi dhe Nimanaj premtojnë fokus te rinia, zhvillimi ekonomik, mbështetje për fermerët, sportin dhe implementimin e projekteve të planifikuara pas 12 tetorit.
“Istogu ka nevojë të shkruaj një kapitull të ri dhe kjo bëhet vetëm me Ali Nimanajn, kandidat për kryetar të komunës”. Kështu u tha në hapjen e fushatës së PDK-së në Istog, ku u prezantua programi qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Istogu e ka mbështetur përherë partinë në secilat zgjedhje që janë mbajtur në Kosovë. Ai shtoi se do të punohet që Ali Nimanaj të kalojë nga nënkryetar të bëhet kryetar i Istogut.
“Na keni dhënë mbështetje e forcë, e kam një arsye të fortë në mbështetje të Aliut për kryetar, ai nuk ka nevojë për prezantim, ju e njihni mirë. Aliu nuk i ik sfidave, është fjalëpak dhe punëtor, gjithmonë mund të mbështetesh në të. Aliu është më i miri dhe më i përgatituri nga të gjithë kandidatët”, deklaroi kreu i PDK-së.
Ali Nimanaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Istogut, tha se ekipi i tij është më i miri në mënyrë që pas 12 tetorit programi i planifikuar të implementohet në tërësi.
“Preokupimi ynë kryesor është ikja e të rinjve tonë si në vend ashtu edhe jashtë, prandaj fokusin e kemi te rinia, inovacioni, sporti etj. Buxheti për rininë dhe mbështetja për sportistë do të jetë 300 mijë euro në mandatin e parë. Synojmë që ky premtim të zbatohet, pastaj e kemi zhvillimin ekonomik. Istogu ka shumë fermerë me të cilët krenohet”. tha Nimanaj.
Në tubim u tha se PDK dhe të gjitha strukturat e saj i kanë sytë kah Ali Nimanaj, i cili ka mbështetje absolute për qeverisje.
