Suharekë: Policia zbulon mbi 500 kilogramë marihuanë, gjendet edhe granata-hedhës
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Njësia në Prizren, kanë zbuluar një rast të madh të kultivimit dhe përpunimit të lëndëve narkotike, njofton Kosova.info.
Sipas Policisë, gjatë veprimeve operativo-hetimore në terren, më 16 shtator 2025, në një fshat të Suharekës, është lokalizuar një objekt (stallë), ku dyshohej se kultivoheshin dhe përpunoheshin bimë narkotike.
Në kontrollin e kryer, hetuesit kanë gjetur një sasi të konsiderueshme lënde që dyshohet të jetë marihuanë, në proces të tharjes. Në vendin e ngjarjes ka qenë prezent edhe prokurori i rastit.
Përveç narkotikëve, policia ka sekuestruar edhe një granata-hedhës (mortajë dore) dhe një pushkë gjuetie. Pas peshimit, sasia e drogës ka rezultuar të jetë 512 kilogramë e 89 gramë, ndërsa vlera e saj në treg llogaritet të jetë rreth 750 mijë euro.
Nga vendi i ngjarjes janë marrë edhe dëshmi tjera relevante, ndërsa si të dyshuar për rastin, policia ka identifikuar një person që aktualisht ndodhet në arrati dhe që njihet nga organet e rendit./Kosova.info/
