Abdixhiku në Gjilan: Arbër Ismajli i ka fituar zemrat e qytetarëve, LDK po kthehet
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sonte ka zhvilluar një tubim në Gjilan, ku prezantoi kandidatin për kryetar të komunës, Arbër Ismajlin. Ai theksoi se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në sheshin e Gjilanit është dëshmi e mbështetjes së fuqishme që Ismajli gëzon tashmë.
“Arbër Ismajli është përfaqësues i brezit të ri të politikës sonë, i rritur me vlerat e LDK-së, me kulturën e ndershmërisë dhe të shërbimit. Ai nuk vjen për të provuar veten, por për të provuar se Gjilani meriton më shumë. Ai ka vizion të qartë për të ardhmen e qytetit, plan konkret për zhvillim dhe mbi të gjitha një ndershmëri që i jep siguri çdo qytetari,” tha Abdixhiku.
Ai u shpreh se LDK tashmë po rikthehet fuqishëm në Gjilan dhe se fitorja e Ismajlit është e arritshme me përkrahjen e qytetarëve.
Në fund, Abdixhiku i bëri thirrje gjilanasve: “Arbër, le të fitojmë!”.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismaili, theksoi se me fitoren e LDK-së qyteti do të ketë një të ardhme më të mirë.
“Ne jemi të bashkuar me një synim të përbashkët: ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Gjilanin,” tha Ismaili.
Në këtë tubim, LDK prezantoi edhe kandidatët e saj për Asamblenë Komunale të Gjilanit. /Kosova.info/
