Kurti në Mitrovicë: Fatoni është garancia që projektet tona bëhen realitet
Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partinë Guxo kanë hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 12 tetorit në qytetin e Mitrovicës së Jugut.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Mitrovicës që vjen nga radhët e partisë Guxo, Faton Peci kanë prezantuar planin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Para përkrahëseve të tyre, Kurti tha se Mitrovica ka ndryshuar për të mirë me qeverisjen e tij duke përmendur investimet që janë bërë në këtë komunë e që do të bëhen në katër vitet e ardhshme.
“Për Mitrovicën e punësimit për të rinjtë, për Mitrovicën e arsimit modern, me shkolla të rinovuara dhe çdo fëmijë me kushte dinjitoze, të shëndetësisë cilësore, me qendra mjekësore moderne dhe një spital të ri, për Mitrovicën e gjelbër, me transport publik dhe me parqe për fëmijët, të bujqësisë e turizmit, që u jep mundësi fshatrave të jetojnë e të zhvillohen, numri është 105, kandidati është Faton Peci, data është 12 tetor, subjekti është Lëvizja Vetëvendosje. Fatoni është garancia që projektet tona bëhen realitet. Ai që do të udhëheqë me transparencë, do të punojë për çdo lagje dhe për çdo fshat, sepse e do këtë qytet dhe do t’i shërbejë pa dallim të gjithë qytetarëve të tij”, tha Kurti.
Ndërkaq, ai ka prezantuar edhe kandidatët për katër komunat e veriut.
“Në anën tjetër të Ibrit kemi kandidatë të guximshëm e të vendosur: Erden Atiq në Mitrovicën e veriut, – Lulzim Hetemi në Leposaviq, Vedet Mehmeti në Zubin Potok, Fetah Peci në Zveçan. Ata janë zëri i shpresës sonë për një veri që ecën me drejtësi dhe zhvillim”, tha lideri i LVV-së.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci tha se do t’i sjellin Mitrovicës qeverisje meritore dhe ndryshime rrënjësore. Ai ka përmendur tri shtyllat e plan-programit të tij, duke u nisur nga zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
Në fund janë prezantuar kandidat për kuvend komunal të Mitrovicës nga LVV, partia Guxo dhe Alternativa.
