Për shpërthimin në QKUK, 11 të arrestuar, sekuestrime armësh e drogë

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë aksion të gjerë hetimor lidhur me shpërthimin e ndodhur më 30 prill 2025 në parkingun e QKUK-së, ku objektiv ishte vetura Mercedes B-Class e drejtorit të QKUK-së.

Më 9 shtator 2025, në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në kryeqytet dhe një në fshatin Rimanishtë. Si rezultat, janë ndaluar njëmbëdhjetë persona dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale.

Në Prishtinë, përveç pajisjeve elektronike dhe dokumenteve, policia gjeti pranga, radio-lidhje, si dhe fishekë të kalibrit 9×19 mm. Ndërkohë, në Rimanishtë u zbulua arsenal armësh dhe drogë: një pistoletë Sig Sauer, një AK-47 me pesë karikatorë e 99 fishekë, si dhe një sasi e madhe substancash narkotike.

Pas ndërhyrjes së njësisë Antidrogë – DHTN Prishtinë, u konfiskuan gjithsej 142 kilogramë e 172 gramë kanabis sativa në fazë përfundimtare të përpunimit, si dhe pajisje për kultivim e përpunim.

Ndër të ndaluarit, një person me inicialet F.D. rezultoi me urdhër arrest aktiv për çështje narkotikësh dhe u dërgua për vuajtje të dënimit. Nëntë persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta.

Policia e Kosovës konfirmon se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit dhe sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë. /Kosova.info/

Go to TOP