Vojvoda e Jashari optimistë për ndeshjen me Zvicrën

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali para nisjes për në Bazel, ku të premten do të përballet me Zvicrën në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Atmosfera në kampin e Dardanëve është shumë pozitive, ndërsa të gjithë futbollistët po punojnë me përkushtim maksimal. Në seancën e fundit, përzgjedhësi Franco Foda ka përqendruar stërvitjen në detaje taktike duke u fokusuar në organizimin ofensiv dhe mbrojtës, ndërprerjet dhe reagimin e ekipit gjatë tranzicioneve të lojës.

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda ka theksuar rëndësinë e përkrahjes së bashkatdhetarëve dhe objektivin e ekipit. “Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira, por kemi shumë përkrahje nga tifozët. Djemtë janë të përgatitur maksimalisht dhe synimi ynë është të marrim tri pikë në Zvicër dhe gjithashtu në shtëpi kundër Suedisë. Do të jetë e vështirë, por presioni nuk është tek ne, por te ata,” tha Vojvoda.

Edhe mesfushori Muharrem Jashari shprehu optimizëm për paraqitjen e ekipit. “Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Zvicrën. Atmosfera është e mirë dhe presim një rezultat pozitiv. E kemi analizuar kundërshtarin dhe synojmë që tifozët të jenë të kënaqur me paraqitjen tonë,” deklaroi Jashari.

Ekspedita e Dardanëve do të udhëtojë nesër paradite drejt Bazelit, ku do të zhvillojë edhe një seancë stërvitore para sfidës së 5 shtatorit në stadiumin “St. Jakob-Park”. /Kosova.info/

Go to TOP