Agjencia e Kosovës për Akreditim i reagon Odës së Fizioterapeutëve

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) kanë reaguar pas deklaratave të sotme të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës (OFK), lidhur me akreditimin e programit të Fizioterapisë dhe Rehabilitimit në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Në reagimin e përbashkët, AKA dhe KShC sqarojnë se kanë shqyrtuar kërkesën e OFK-së për pezullimin e vendimit të KShC-së, por kanë konstatuar se kërkesa nuk ka bazë ligjore, pasi OFK nuk është palë në procedurën administrative të akreditimit.

“Vendimi i KShC është marrë pas zhvillimit të plotë të procedurave ligjore dhe në përputhje me ligjet përkatëse për arsimin e lartë, administratën publike dhe akreditimin. Programi është vlerësuar nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë sipas standardeve të akreditimit dhe nuk ka pasur aplikim retroaktiv të ndonjë norme”, thuhet në reagim.

AKA sqaron gjithashtu se standardet e përditësuara të akreditimit janë miratuar dhe publikuar në fillim të vitit 2024 duke përfshirë në proces edhe institucionet e arsimit të lartë. “Pretendimi për aplikim të parakohshëm të standardeve nuk qëndron. Këto fakte jemi të gatshëm t’i ballafaqojmë edhe në gjykatë”, thekson agjencia.

Më tej, AKA vë në dukje se drejtuesit e Odës së Fizioterapisë dhe persona të afërt të tyre punojnë në kolegje private, prandaj nuk paraqesin palë neutrale në këtë rast. “AKA është institucion kredibil, me kredenciale ndërkombëtare, i regjistruar në EQAR, prandaj garanton studentët se të gjitha programet e akredituara në Kosovë janë të nivelit ndërkombëtar”, përfundon reagimi.

Nga ana tjetër, më herët gjatë ditës, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës në një konferencë për media bëri të ditur se ka dorëzuar padi ndaj AKA-së. OFK-ja e cilësoi vendimin e agjencisë si të kundërligjshëm duke theksuar se ai bie ndesh me raportin e ekspertëve të vetë AKA-së dhe se mund të sjellë pasoja të pariparueshme për studentët, të cilëve, sipas saj, rrezikon të mos u njihet diploma pas përfundimit të studimeve. /Kosova.info/


Go to TOP