Zjarret në pyje, ekspertët kërkojnë parandalim dhe ndërgjegjësim
Zjarret që kanë përfshirë pyjet dhe kullotat në një pjesë të madhe të territorit të Kosovës për më shumë se disa muaj, kanë shkaktuar dëme të mëdha, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për mjedisin dhe biodiversitetin. Ekspertët theksojnë se parandalimi dhe ndërgjegjësimi mbeten hapa kyç për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes së qëndrueshme të bujqësisë në Kosovë.
Djegia e kashtës është e dëmshme për tokën bujqësore, ndërsa parandalimi i kësaj dukurie është më se i nevojshëm. Ekspertët e bujqësisë thonë se çdo ngastër që ndizet, humb materiet ushqyese.
Eksperti i bujqësisë Imer Rusinovci për Radio Kosovën thotë se dëmet janë të vështira për t’u llogaritur.
“Dëmet që shkaktohen nga djegia e mbetjeve organike të hamujve ose si quhen sternishtat janë fatale, të kobshme, të dëmshme në përgjithësi në profilin e rizosferës”, tha Rusinovci.
Ndikimi negativ përfshin edhe ndotjen e ajrit, dëmtimin e kulturave bujqësore dhe zhdukjen e pjesshme të drunjve e bimësisë, të cilat kërkojnë vite për t’u rikuperuar, thotë për Radio Kosovën ekologu Elez Krasniqi.
“Mjedisi në viset tona dëmtohet nga zjarret për arsye se humbin disa habitate, humbin stabilitetin e tyre, ndodh zhvendosje e llojeve, vdekshmëri e tyre bimore dhe shtazore. Kontribut negativ në ndryshimet klimatike”, theksoi Krasniqi.
Vlerësimet paraprake flasin për dëme të konsiderueshme, të cilat përfshijnë jo vetëm sipërfaqet e djegura të pyjeve dhe kullotave, por edhe ndikimin e pakthyeshëm në kafshët e egra, ndotjen e tokës dhe ajrit, si dhe dëmtimin e kulturave bujqësore, çka mund të ketë pasoja afatgjata për prodhimin vendor dhe sigurinë ushqimore.
Sipas Lulzim Fushticës, drejtor i Departamentit të Emergjencave në Komunën e Prishtinës, tashmë është themeluar një grup punues për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga zjarret.
“Për momentin është shumë herët të flasim për shkak se kemi pasur volum të madh të punëve dhe zjarreve që kanë goditur jo vetëm Prishtinën, por tërë Kosovën. Mund të them se dëmet janë të konsiderueshme si për ekonomitë familjare dhe bizneset. E mira është se nuk kemi pasur humbje të jetës”, nënvizoi Fushtica.
Në pritje të raportit të plotë të grupit punues, ekspertët apelojnë për ndërgjegjësim dhe edukim të komunitetit bujqësor, si dhe për masa më të ashpra ndaj shkaqeve që çojnë në zjarrvënie, qofshin ato të qëllimshme apo nga pakujdesia.
