Policia e Kosovës apelon për kujdes: fëmijët po rrezikohen nga lojërat dhe postimet për vetëlëndim në internet

Policia e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet relevante, ka bërë të ditur se së fundi ka trajtuar disa raste shqetësuese, ku fëmijë kanë shpërndarë në internet postime për vetëlëndim me pasoja të rënda shëndetësore, si dhe për vetëvrasje.

Nëpërmjet angazhimit të menjëhershëm dhe bashkëpunimit me qytetarët, janë identifikuar fëmijët e rrezikuar dhe është siguruar prezenca e tyre. Prindërit, si dhe mekanizmat përgjegjës, janë njoftuar për ndërhyrje dhe trajtim të duhur të rasteve.

Policia ka shprehur mirënjohje për qytetarët dhe institucionet që kanë kontribuar në krijimin e një ambienti më të sigurt në internet duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve nga rreziqet digjitale.

Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës ka bërë një apel të fuqishëm për kujdes dhe vigjilencë të shtuar nga ana e prindërve. Sipas saj, komunikimi i hapur dhe monitorimi i rregullt i aktivitetit online të fëmijëve është çelësi për të parandaluar situata me pasoja të rënda.

Këshilla dhe kërkesa për prindërit dhe fëmijët për përdorim të drejtë dhe të sigurt të internetit:

Prindër, flisni kohë pas kohe me fëmijët tuaj për rreziqet në internet dhe monitoroni aktivitetet e tyre, pasi kjo mund të parandalojë një të keqe.

Kujdesuni për përmbajtjen që fëmijët posedojnë në pajisjet e tyre, si foto, video apo materiale të tjera.

Sigurohuni që fëmijët nuk janë duke luajtur lojëra të rrezikshme që nxisin vetëlëndimin.

Fëmijë, kujdes me kë shoqëroheni në internet dhe mos ndani të dhëna personale me persona të panjohur.

Asnjëherë mos u takoni fizikisht me persona të njohur vetëm online pa paralajmëruar prindërit.

Mos ngacmoni të tjerët në internet dhe mos postoni materiale të dëmshme.

Mos shkarkoni apo shpërndani video ose foto me përmbajtje abuzimi ndaj fëmijëve.

Mos luani lojëra që kërkojnë vetëlëndim si sfidë.

Kufizoni kohën e kaluar në internet.

Për çdo shqetësim, bisedoni menjëherë me prindin, shokun/shoqen, ose lajmëroni Policinë e Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP