Gashi: VV po bllokon institucionet, Kosova rrezikon kolaps institucional

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvend duke theksuar se obstruksionet e Lëvizjes Vetëvendosje po e mbajnë vendin pa institucione funksionale.

Sipas tij, qëllimi i VV-së për të bllokuar proceset institucionale tashmë është i qartë. “Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm”, deklaroi Gashi.

Ai tha se VV me vetëdije kërkoi nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar qartë se duhet të zbatohet rendi i ditës i seancës konstituive. Meqë kjo nuk pati sukses, sipas Gashit, Vetëvendosje u përqendrua tek zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb duke shfrytëzuar ndjeshmërinë politike të kësaj çështjeje.

“Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional”, tha ai.

Gashi shtoi se politika ka rënë në pikën më të ulët duke u fokusuar vetëm në përfitime momentale e jo në sigurinë dhe interesin e shtetit. Ai theksoi se LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave. /Kosova.info/

Go to TOP