Maliqi: Ish-opozita e paguximshme në raport me grackat populiste të Kurtit

Analisti politik, Agon Maliqi e ka kritikuar qasjen e ish-opozitës në Kosovë në seancën për konstituim të Kuvendit, duke e përshkruar qasjen e saj si të pavendosur, “as mish as peshk”, dhe ka thënë se e sheh si të paguximshme në raport me ato që i ka quajtur “gracka populiste” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Për sa kohë që Lista Serbe është parti e votuar nga shumica dërmuese e serbëve dhe ligji e sheh veprimin e saj si të rregullt brenda sistemit të Kosovës, ajo do të jetë e pashmangshme në formimin e institucioneve, dhe rrjedhimisht çdo veprim përjashtues ndaj saj do ta detyrojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Maliqi përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, procesi vetëm do të zvarritet, Lista Serbe do të forcohet në sytë e komunitetit serb dhe do të thellohet imazhi negativ i Kosovës si vend që i shtyp të drejtat e pakicave.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.

Procesi tani është bllokuar, në mungesë konsensusi për zgjedhjen e nënkryetarit serb. Seanca për finalizim të konstituimit do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

Go to TOP