Aktakuzë për vjedhje të gjësendeve me vlerë mbi 100 mijë euro në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, më 21 prill 2025, në qytetin e Pejës, i pandehuri ka shfrytëzuar mungesën e pronarit të shtëpisë, i cili ndodhej me familjen për pushime jashtë vendit dhe ka depërtuar me forcë në banesë përmes një dritareje të katit të dytë.
“Nga brendësia e shtëpisë, B.B. ka marrë një sasi ari në vlerë prej rreth 30,000 euro, para të gatshme në shumën prej 7,000 euro, si dhe një numër të konsiderueshëm orësh dore të markave të ndryshme, të vlerësuara në rreth 87,000 euro. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes pa u vërejtur”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën ditë, gjatë një kontrolli të realizuar nga Policia e Kosovës në shtëpinë e të pandehurit, janë gjetur disa nga orët e vjedhura, të cilat i përkisnin të dëmtuarit dhe familjarëve të tij.
Prokuroria ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore për veprën penale që i vihet në barrë.
