Izraeli thotë se ka ndërmarrë hapat e parë të operacionit ushtarak në Gaza

Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur hapat e parë të një operacioni për të marrë nën kontroll qytetin Gaza dhe mobilizoi dhjetëra mijëra rezervistë, ndërsa qeveria po shqyrtonte një propozim të ri për armëpushim me qëllim ndaljen e një lufte që zgjat pothuajse dy vjet.

“Kemi nisur operacionet paraprake dhe fazat e para të sulmit ndaj qytetit Gaza, dhe tashmë forcat e IDF ndodhen në periferi të qytetit,” u tha gazetarëve zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, raporton Reuters.

Një zyrtar ushtarak, në një informim për mediat më herët të mërkurën, tha se rezervistët nuk do të thirren për detyrë deri në shtator, çka u jep kohë ndërmjetësve të gjejnë gjuhën e përbashkët mes Hamasit dhe Izraelit për kushtet e një armëpushimi.

Megjithatë, pasi trupat izraelite u përplasën me luftëtarë të Hamasit në enklavën palestineze të mërkurën, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi se ai ka përshpejtuar afatet për marrjen e kontrollit të bastioneve të Hamasit dhe shkatërrimin e grupit militant që shkaktoi konfliktin me një sulm ndaj Izraelit në tetor 2023.

Deklaratat izraelite tregojnë se Izraeli po ecën përpara me planin për të marrë qytetin më të madh urban të Gazës, pavarësisht kritikave ndërkombëtare për një operacion që ka gjasa të detyrojë zhvendosjen e shumë më tepër palestinezëve.

Defrin tha se trupat tashmë po veprojnë në periferi të qytetit Gaza dhe se Hamasi tani është një forcë guerrile “e goditur dhe e lodhur”. “Ne do ta thellojmë sulmin ndaj Hamasit në qytetin Gaza, një bastion i terrorit qeveritar dhe ushtarak për këtë organizatë terroriste,” shtoi ai.

Ushtria izraelite mobilizoi dhjetëra mijëra rezervistë të mërkurën për t’u përgatitur për sulmin e pritshëm ndaj qytetit Gaza, ndërsa qeveria izraelite po shqyrton një propozim të ri për armëpushim.

Këshilli i sigurisë së Izraelit, i kryesuar nga Netanyahu, ka miratuar këtë muaj një plan për të zgjeruar fushatën ushtarake në Gaza, me qëllim marrjen e qytetit Gaza, ku forcat izraelite zhvilluan luftime të ashpra urbane me Hamasin në fazat e para të luftës. Aktualisht, Izraeli kontrollon rreth 75% të Rripit të Gazës.

Shumë nga aleatët më të ngushtë të Izraelit kanë bërë thirrje që qeveria të tërhiqet nga ky plan, por Netanyahu është nën presion nga disa anëtarë të krahut të djathtë ekstrem të koalicionit të tij që të refuzojë çdo armëpushim të përkohshëm, të vazhdojë luftën dhe të ndjekë aneksimin e territorit.


Go to TOP