KOMF apel prindërve: Flisni me fëmijët për dhunën, edukoni për respekt dhe tolerancë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka bërë sot një apel të fuqishëm për prindërit dhe familjet që të marrin një rol aktiv në edukimin e fëmijëve për të jetuar pa dhunë.

Në një komunikatë për media, KOMF thekson se dhuna mes bashkëmoshatarëve po shfaqet gjithnjë e më hapur dhe shpesh po normalizohet si sjellje, gjë që përbën një alarm serioz dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga familjet, institucionet dhe e gjithë shoqëria. Sipas organizatës, familja mbetet mjedisi kryesor ku fëmijët formojnë vlerat dhe sjelljet e tyre.

“KOMF bën thirrje që prindërit të flasin rregullisht dhe hapur me fëmijët për dhunën, format e saj dhe pasojat negative që ajo sjell në jetën dhe shëndetin mendor të tyre. Edukimi për respekt, tolerancë dhe mirëkuptim duhet të fillojë në familje dhe të forcohet çdo ditë”, thuhet në reagim.

Organizata rekomandon që prindërit të:

Ndajnë kohë për biseda të hapura me fëmijët mbi dhunën dhe pasojat e saj;

Promovojnë sjellje paqësore dhe model pozitiv në marrëdhënie me të tjerët;

Monitorojnë përmbajtjet që fëmijët shohin dhe ndajnë në rrjetet sociale;

Kujdesen për mënyrën se si fëmijët kalojnë kohën kur prindërit nuk janë të pranishëm;

Bashkëpunojnë ngushtë me shkollën për mbështetjen e fëmijës;

Kërkojnë ndihmë profesionale kur fëmijët tregojnë shenja stresi, ankthi ose sjellje agresive.

KOMF thekson se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe mbrojtës. “Prindërit apo kujdestarët ligjorë janë linja e parë e mbrojtjes dhe ndikimit pozitiv në jetën e fëmijëve të tyre. Duke folur me fëmijët, duke i dëgjuar ata dhe duke edukuar modele konstruktive e tolerante të sjelljes, kontribuojmë në parandalimin e dhunës dhe ndërtimin e një shoqërie më të sigurt për fëmijët tanë,” përfundon komunikata. /Kosova.info/

Go to TOP