Hoti: Gjatë qeverisjes së LDK-së kemi respektuar institucionet, sot Kosova po rrëshqet drejt autokracisë partiake
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se gjatë viteve të qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë përballur me mospajtime me aktorë të ndryshëm publikë dhe privatë, por gjithmonë kanë vepruar me maturi dhe respekt institucional.
Ai theksoi se, edhe pse nuk kanë qenë gjithmonë në një mendim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK), nuk e kanë penalizuar asnjëherë financiarisht apo në ndonjë formë tjetër. Sa i përket komunitetit të bizneseve, Hoti tha se nuk janë trajtuar si armiq, por gjithmonë është insistuar në dialog për të tejkaluar dallimet.
Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, ish-kryeministri theksoi se edhe kur vendimet e saj janë vlerësuar si të gabuara ose të motivuara politikisht, ato janë respektuar dhe zbatuar pa vonesë. Ai shtoi se edhe me organizatat e shoqërisë civile, pavarësisht mospajtimeve, është rritur transparenca dhe është forcuar komunikimi publik.
Hoti nënvizoi se as me aleatët ndërkombëtarë nuk janë shfaqur sulme publike, por është ruajtur gjithmonë kanali i komunikimit për të gjetur mirëkuptim.
“Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, kështu duhet të sillet një qeveri normale. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot. Është obligim i secilit prej nesh, veçanërisht i spektrit politik, të ndalojë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake,” tha Hoti. /Kosova.info/
