Bekolli: Deklarata e Trandafilovës, fyerje e rëndë dhe rrezik për besueshmërinë e Dhomave të Specializuara

Deklarata e fundit e kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trandafilova, ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë. Zeqir Bekolli e ka cilësuar atë si “skandaloze, të papërgjegjshme dhe të rrezikshme” për një institucion që pretendon të jetë i pavarur dhe i drejtë.

Bekolli thekson se, në vend që të kontribuojë në ndërtimin e besimit te publiku, Trandafilova ka shtuar mosbesimin e qytetarëve shqiptarë të Kosovës ndaj kësaj gjykate, e cila prej mbi pesë vitesh po mban në paraburgim figura kyçe të UÇK-së pa një proces gjyqësor të përfunduar dhe të bazuar në prova të qëndrueshme.

Sipas tij, quajtja e protestuesve që mbështesin ish-krerët e UÇK-së si “më kriminelë se të akuzuarit” përbën një fyerje të rëndë ndaj qytetarëve të një vendi që ka kaluar një luftë çlirimtare dhe bie ndesh me çdo standard etik e profesional të drejtësisë ndërkombëtare.

Bekolli gjithashtu ka rikujtuar të kaluarën e Trandafilovës si ish-zëvendësprokurore në Bullgari gjatë regjimit komunist të Todor Zhivkovit, periudhë e shënuar nga ndjekje politike dhe represion, duke sugjeruar se praktikat autoritare të asaj kohe reflektohen ende në qasjen e saj aktuale.

Një tjetër pikë shqetësuese, sipas tij, është pranimi nga Trandafilova se gjykata “merr dosje edhe nga Serbia”, një shtet që jo vetëm nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, por vazhdon të glorifikojë regjimin e Millosheviqit. Bekolli paralajmëron se përdorimi i materialeve nga një ish-agresor përbën rrezik serioz për drejtësinë dhe i jep legjitimitet propagandës serbe.

“Për shkak të deklaratave fyese, mungesës së paanshmërisë dhe së kaluarës së saj të njollosur në një regjim represiv, Trandafilova nuk është personi i duhur për të udhëhequr një proces kaq të ndjeshëm. Kërkesa për shkarkimin e saj është domosdoshmëri për ruajtjen e besimit publik dhe integritetit të procesit gjyqësor,” përfundon Bekolli. /Kosova.info/


Go to TOP