Bajrami: LVV dhe Vjosa Osmani po e duan Kushtetuesen pa kuorum – Na tregoni pse

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke e akuzuar për mungesë reformash dhe sulme të vazhdueshme ndaj gjykatave. Bajrami theksoi se as Vjosa Osmani dhe as LVV-ja nuk e kanë kundërshtuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2020, kur kjo rrëzoi qeverinë, ndërsa sot po e përdorin si alibi politike.

Ajo rikujtoi ngjarjen e Banjskës duke akuzuar qeverinë për lejimin e arratisjes së Milan Radojçiqit dhe për mos-shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste. Sipas saj, LVV dhe presidentja Osmani po synojnë që Gjykata Kushtetuese të mbetet pa kuorum, gjë që, siç thotë, nuk i shkon për shtati Kosovës.

Në lidhje me dështimet në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Bajrami deklaroi se Haxhiu ka humbur 6 votime të hapura dhe 48 votime të fshehta, ndërsa vota e LDK-së ka qenë kundër komisionit, kundër votimit të fshehtë dhe kundër saj si kandidate për kryetare të Kuvendit. /Kosova.info/


Go to TOP