Ilir Daja pas humbjes ndaj Hajdukut

Trajneri i Dinamo Cityt të Tiranës, Ilir Daja, ka reaguar pas humbjes 2:1 ndaj Hajduk Split në stadiumin legjendar “Poljud”, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës.

Dinamo e nisi ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer, duke kaluar në avantazh me një supergol të Dejvi Bregut në minutën e 36-të, por skuadra shqiptare nuk arriti ta ruajë epërsinë, duke pësuar dy gola në pjesën e dytë.

“Ishte e vështirë të luajmë ndaj Hajdukut para 33 mijë njerëzve. E nisëm mirë ndeshjen, kishim situata të mira për gol. Luajtëm mirë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë kishim probleme për 15-20 minuta”, deklaroi Daja pas ndeshjes.

Duke analizuar golat e pësuar, trajneri theksoi se skuadra e tij u ndëshkua nga gabime individuale, por edhe nga mungesa e eksperiencës në arenën ndërkombëtare.

“Ne e ndërtojmë lojën nga prapa dhe gabimet ndodhin. Kapiteni ynë ka eksperiencë, por ka mundur të reagojë më mirë. Kemi pranuar gola të lehtë nga gabimet tona. Të jemi realistë, kemi mundur të pranojmë edhe një gol tjetër,” u shpreh ai.

Pavarësisht humbjes, Daja mbetet optimist për ndeshjen kthyese që do të zhvillohet pas një jave në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

“Mendoj se shanset janë 60-40 në të mirë të Hajdukut, por asgjë nuk është e sigurt në futboll. Atmosfera në Split ishte fantastike dhe shpresojmë që në kthim të kemi mbështetjen e tifozëve shqiptarë, jo vetëm të Dinamos”, përfundoi trajneri.

Ndeshja e kthimit pritet të jetë një spektakël i vërtetë në Tiranë, ku Dinamo do të kërkojë përmbysjen dhe kalimin në fazën play-off të Ligës së Konferencës.


Go to TOP