Jupolli: Pjesa më e madhe e krijimtarisë time është zhvilluar në mërgatë

Në kuadër të aktiviteteve verore “Ditët e Verës” që zhvillohen çdo vit në Prishtinë, Musa Jupolli nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në jetën kulturore të Kosovës. Ai shpjegoi se gjatë qëndrimit në atdhe, shpesh vizitojnë disa qendra të Kosovës, ndërsa një nga aktivitetet kryesore mbetet promovimi i librit të autorëve nga mërgata.

Ky promovim zakonisht organizohet në Bibliotekën “Pjetër Bogdani”, ku prezantohen autorë nga mërgata me botimet e tyre për periudhën gusht–gusht. “Është një aktivitet që nuk guxon të mungojë”, tha  Jupolli.

Gjatë një takimi të fundit në Bibliotekën Kombëtare me krijuesit Shqipe Bytyçi, Hazir Mehmeti dhe Mentor Thaçi, u arrit një marrëveshje për bashkëpunim më të ngushtë mes mërgatës dhe arbëreshëve, me qëllim që zëri i tyre të jetë i pranishëm dhe i dëgjuar në skenën kulturore të Kosovës.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, Jupolli rrëfeu se ka nisur të shkruajë që në rini, por pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij është zhvilluar në mërgatë.

“Jam marrë shumë me refleksione filozofike,” tha ai, duke shtuar se ka botuar gjithashtu romane, prozë, poezi dhe kritikë letrare.


Go to TOP