Ndëshkohen tre shoferë për përdorim të telefonit gjatë ngasjes

Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndëshkuar tre shoferë për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit, duke marrë masa të ashpra për shkak të përsëritjes së kundërvajtjes.

Dy prej shoferëve, M.S. (42 vjeç) dhe S.V. (29 vjeç), të cilët drejtonin vetura të tipit Citroën dhe Renault me targa vendore, janë kapur për herë të dytë duke përdorur telefonin gjatë ngasjes.

Policia ka njoftuar se ndaj tyre ka shqiptuar gjobë prej 200 euro, 2 pikë negative në patentë-shofer, ndalim i patentës për një periudhë prej 3 muajsh.

Ndërkaq, shoferi A.S. (32 vjeç), duke drejtuar një veturë Mercedes, është kapur për herë të tretë me të njëjtën kundërvajtje. Masa ndaj tij është më e ashpër gjobë prej 500 euro, 3 pikë negative, dhe ndalim i patentës për 6 muaj.

Policia Rajonale në Ferizaj ka bërë thirrje për të gjithë shoferët që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, pasi kjo sjellje është një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve në komunikacion.

“Masat dhe kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt, me synim rritjen e sigurisë rrugore”, thuhet në njoftim.


Go to TOP