Liverpool fiton, Wirtz shënon golin e parë me fanellën e kuqe

Liverpool ka shënuar fitore 3-1 ndaj Yokohama F. Marinos në një ndeshje miqësore të zhvilluar të mërkurën në Japoni, ku Florian Wirtz ka realizuar golin e tij të parë për klubin anglez.

Talenti gjerman e ka barazuar rezultatin në pjesën e dytë me një goditje të fortë nga brenda zonës.

Vendasit kishin kaluar në epërsi në minutën e pesëdhjetë e pestë me golin e Asahi Uenaka, që ka shfrytëzuar një moment të pasigurt në mbrojtjen e Liverpool dhe e ka mposhtur portierin Giorgi Mamardashvili.

Pas golit të Wirtz, Trey Nyoni ka kaluar Liverpool në epërsi me një volej pas asistimit të Jeremie Frimpong, ndërsa Rio Ngumoha e ka vulosur fitoren me një gol të bukur pas një driblimi nga mesi i fushës dhe goditje të saktë nga jashtë zonës.

Wirtz, i cili i është bashkuar Liverpool këtë verë nga Bayer Leverkusen, është shprehur i lumtur pas ndeshjes. 

“Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë. Shpresoj që të jenë edhe shumë të tjerë në të ardhmen”, ka deklaruar ai para më shumë se gjashtëdhjetë e pesë mijë tifozëve në stadium.

Go to TOP