Salih Rexhaj me pyetje sfiduese për figurën e Adem Demaçit në përvjetorin e vdekjes

Në përvjetorin e shtatë të vdekjes së Adem Demaçit, veprimtari Salih Rexhaj ka shprehur një qasje ndryshe ndaj figurës së njohur të qëndresës kombëtare duke ngritur disa pyetje që, sipas tij, mbeten të pasqaruara edhe sot.

“Me Demaçin jam takuar shpesh në raste të ndryshme, përgjatë një periudhe të gjatë kohore,” tha Rexhaj duke theksuar se pavarësisht respektit që gëzon Demaçi te shumë qytetarë, ai ka vërejtje serioze mbi disa vendime e qëndrime të tij.

Rexhaj përmendi fshehjen e një letre nga Enver Hoxha, në të cilën udhëheqësi shqiptar e këshillonte Demaçin të ndalonte veprimtarinë ilegale, pasi kjo, sipas Hoxhës, mund të dëmtonte avancimet e Kosovës pas rrëzimit të Rankoviqit dhe miratimit të Kushtetutës së vitit 1974.

Gjithashtu, Rexhaj shtroi pyetje mbi refuzimin e Marrëveshjes së Rambujesë nga ana e Demaçit, si dhe për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Presidentit historik Ibrahim Rugova, për të cilin ai thekson se Demaçi nuk mori pjesë as në ceremoninë e varrimit dhe nuk shprehu ngushëllime.

Në fund, Rexhaj kritikoi edhe vendimin e Demaçit për të mbështetur Albin Kurtin në hyrjen në politikë duke e cilësuar këtë si një hap që, sipas tij, ka pasur pasoja për funksionimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Për mua mbeten shumë intriguese këto fakte,” përfundoi Rexhaj duke lënë të hapur një debat mbi trashëgiminë komplekse të Adem Demaçit. /Kosova.info/


Go to TOP