Muharremi: Votuesi nuk të ndëshkon për gabime teknike, por për zhgënjim emocional
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke vënë theksin tek ndjenjat e thella të zhgënjimit që, sipas tij, po përjeton elektorati. Ai thekson se votuesi është i durueshëm dhe fal gabimet në menaxhimin e ekonomisë apo energjisë, por nuk e fal zhgënjimin emocional dhe humbjen e shpresës.
“Votuesi nuk është budallë, është i durueshëm… derisa t’ia plasë zemra! Ai të fal kur dështon, kur nuk ke kapacitet me qeverisë, por nuk të fal vuajtjen dhe zhgënjimin emocional,” shkruan Muharremi.
Sipas tij, në situata të tilla, kur emocionet arrijnë pikën maksimale, terreni politik mund të përmbyset brenda javësh apo muajsh. Ai paralajmëron se shumë aktorë politikë janë duke luajtur me zjarr, me vendime kokëforta e të pamatura, që nuk prodhojnë rezultat racional dhe mund të kenë pasoja për të gjithë.
“Po luhet një lojë e rrezikshme me publikun, që do të ketë një çmim të lartë. Në këso kushte, mund të ndodhin gjëra që duken të pamundura – siç ndodhi në vitin 2021, kur askush s’e besonte ndryshimin e madh që ndodhi,” shton ai.
Muharremi vlerëson se zgjedhjet janë më shumë një treg emocionesh sesa faktesh apo skandalesh dhe se çdo përçmim ndaj ndjenjave të publikut mund të kushtojë shtrenjtë.
Ai parashikon se zgjedhjet e jashtëzakonshme eventuale në pranverën e vitit 2026 do të mbahen në një ambient emocional të ndezur, ku zhgënjimi i qytetarëve mund të përcaktojë rezultatin përfundimtar. /Kosova.info/
